Artan Grubi, Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, foli për zgjedhjen e Dritan Abazovic për kryeministër të Malit të Zi.
Grubi u shpreh i lumtur me zgjedhjen e Abazoviqit si kryeministër, teksa shtoi se punën do ta ketë të vështirë, por me energjinë e tij ai do të sjellë rezultate të mira.
Më tej ai tha se kryeministri shqiptar, i cili është në krye të Malit të Zi, ndan të njëjtat bindje si Prishtina zyrtare, Tirana dhe Shkupi.
“Bindjet e tij politike dhe ideali i tij janë në tërësi të përputhshme me të mijat, Ramës e Kurtit dhe shpresoj se bashkërisht do të bëjmë përpjekje që ta integrojmë të gjithë rajonin në NATO e BE”, është shprehur Grubi në Klan Kosova.
Grubi vuri në dukje se Kosova duhet të jetë gjithmonë protagoniste në çdo tryezë, sepse nuk është asnjëherë e vetme, por e katërta, kur bëhet fjalë për projektet rajonale si “Ballkani i Hapur”.
“Kosova duhet të jetë protagoniste në çdo tavolinë ku flitet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, sepse Kosova asnjëherë nuk është e vetme dhe e theksova se Kosova është vetë e treta e tash vetë e katërta në çdo forum rajonal, qoftë ai “Open Ballkan”, qoftë Procesi i Berlinit apo çfarëdo formati tjetër”, është shprehur Grubi.
Ndryshe, kur është fjala për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Grubi ka thënë se kjo e fundit “absolutisht” duhet ta bëjë këtë.
“Serbia e ka me patjetër ta njoh Kosovën si shtet, të cilën e ka njohur e gjithë bota demokratike dhe nëse do që ta vazhdojë rrugëtimin e vetë drejtë BE-së, gjithsesi se ky duhet të jetë epilogu përfundimtar për politikën e jashtme serbe”.
“Por, nisma të tilla siç është Procesi i Ballkanit apo ‘Open Ballkan’, vlerësoj se Kosovën duhet ta gjejë në tavolinën e bisedimeve sepse aty Kosova nuk është e vetme dhe ne do ta ndihmojmë argumentimin e nevojës së njohjes imediate të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Grubi./Nacionale