Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi ka thënë se kryeministrin Albin Kurti e ka kapur ‘inati’ se deputetët e partisë së tij, sipas Gjoshit, po e përkrahin idenë e PDK-së për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Sot Kurti është deklaruar kundër lejimit të tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Gjoshi duke reaguar përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Kurtin e ka kapur ‘inati’ që PDK-ja ka thënë një ide më të mirë se Qeveria e Kurtit.
Ky është shkrimi i plotë i Gjoshit në Facebook:
“Albin Kurtin e ka kap inati.
E ka kap inati pasi që PDK-ja e ka dhënë një ide shumë më të mirë sesa krejt Qeveria e tij. Inati iu ka rritë kur e ka marrë vesh se deputetët e partisë së tij do ta votojnë këtë ide të PDK-së.
Paramendojeni, sa “të aftë” e kemi Kryeministrin. Vitrat e tij prej 100 eurove i prezanton si shpëtim, kurse idenë e PDK-së si diçka që nuk e zgjidh problemin.
O “talent”, prej kur 100 euro janë më shumë se mijëra euro që mund të tërhiqen me vullnet nga trusti”.//Kallxo.com