Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka shpjeguar se si kanë ndodhur katër raste të sulmeve ndaj policëve të Kosovës në afërsi të pikave kufitare.
Ai ka thënë se nga e mërkura deri sot kanë ndodhur katër sulme të cilat i ka quajtur sulme të organizuara, shkruan Reporteri.net.
“Gjatë datës 13 deri sot kishim katër sulme të organizuara në një territor i cili është i ndërlidhur dhe në vendet që janë shumë afër njëra-tjetrës dhe sulmet janë të ndërlidhura. Kjo na bën me dije që kemi të bëjmë me një grup të organizuar i cili ka për qëllim që të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës dhe me theks të posaçëm dëshirojnë të pengojnë aksionet tona të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme ilegale të cilat zhvillohen në këtë pjesë të kufirit të Kosovës”, tha ai.
Mehmeti tha se janë goditur me granatë dore dhe armë veturat që transportonin policët në pikat kufitare.
“Të dy veturat e Policisë janë dëmtuar. Janë gjetur gëzhojat e armës dhe pjesë të granatës së dorës. Ky është xhami i një prej veturave. Është gjuajtur drejtëpërdrejtë për të goditur policinë, por xhami ka qenë i blinduar. Kjo është pjesë e granatës së dorës, është granatë luftarake”, tha ai.
Mehmeti bëri të ditur se në veturat e policisë së u sulmuan kishte edhe policë serbë.