Në vende demokratike por edhe në Kosovë ka pasur raste kur figura të larta, përfshirë edhe presidentë, që kanë dhënë dorëheqje në momentin që është vlerësuar se me veprimet e tyre kanë shkelur Kushtetutën.
Megjithatë ky nuk duket të jetë rasti për ministren e Arsimit të Shkencës dhe Teknologjisë të Qeverisë Kurti, Arbërie Nagavci, për të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se ka shkelur Kushtetutën e vendit kur ka vendosur që përmes një vendimi si ministre të përzihet në punët e Komunës së Kamenicës për organizimin e arsimit.
Ndonëse vendimet e Kushtetueses s’komentohen dhe se kjo Gjykatë është autoriteti përfundimtarë në Republikën e Kosovës sa i përket interpretimit të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, MASHT-i dhe ministrja Nagavci kanë dalë me një koment dhe analizë të tyren për vendimin që konstaton se ministrja Nagavci ka shkelur Kushtetutën.
Ekspertët e Nagavcit kanë thënë se konstatimi i Kushtetueses sa i përket përputhshmërisë së vendimi i MASHT-it me parimet e vetëqeverisjes lokale është i natyrës formale, derisa shkojnë edhe më tej duke thënë se Gjykata në mungesë të juridiksionit s’ka vlerësuar përputhshmërinë e vendimit të MASHT-it me Nenin 47 të Kushtetutës.
Derisa shkeljen e Kushtetutës nga ministrja janë munduar ta minimizojnë duke thënë se vendimi i MASHT-it për të cilin flitet në vendimin e Kushtetuteses ka pushuar së qeni në fuqi në fundin e korrikut 2021.
“Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë”, thuhet në analizën e MASHT-it për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.