Muzika rep nisi, ose të paktën u bë e njohur, në vitet e shtatëdhjeta. Në thelb, ishte muzikë e revoltës, që kultivohej në lagje të getoizuara, që kishin çdo arsye për t’iu kundërvënë sistemit nga mjerimi ekonomik, politik e social.
Në këtë muzikë nuk hyhej nëse nuk kishe diçka të rëndësishme për të thënë dhe një mënyrë kreative për ta thënë, qoftë edhe me revoltë që nuk ishte domosdo “e mirësjellshme”. A ka Gold AG, thelbi i këtij teksti, “diçka të rëndësishme për të thënë”?
Ai padyshim që ka diçka për të thënë, dhe e thotë aq fuqishëm sa mundet, por ajo që ai ka për të thënë nuk është fare e rëndësishme: në të vërtetë, është diçka që mund ta dëgjosh nga goja e çdo të revoltuari që nuk ia ka idene sesi ta artikulojë revoltën e tij, përveçse duke sharë me krejt çka kanë, të gjithë ata që nuk janë si ai. Pra, krejt e paveçantë, me rima të ngathëta e fjalor krejt të rëndomtë, ai nuk përfaqëson asgjë të rëndësishme dhe nga ai nuk mund të presësh të thotë asgjë të paparashikueshme. Nëse do të më kërkohej në terma strikt kapitalist ta përkufizoj veprimtarinë muzikore të tij, ajo që më bie ndërmend janë dyqanet “Gjithçka 1 euro”. Aty ka gjithçka, por asgjë nuk është kualitative. Megjithatë, për të mos u mjaftuar me këtë reduktim, le t’i hyjmë pak më thellë.
Që prej fillimit në fund të secilës këngë, mund të mos e dish se si do ta formulojë atë që e thotë, por gjithmonë e di që do t’i ripërsërisë të njëjtat dokrra, duke u përpjekur ta bindë publikun që e ka moralin, herë të patriotit, herë të fetarit. Po të kishte një skaner psikologjik, mund të na dilte se, më tepër sesa dikë tjetër, përpiqet ta bindë veten me stilin e “ngërmueshëm” me të cilin i hidhet gjithësecilit në qafë.
Por, duke qenë krejt i paveçantë, duke i përsëritur vazhimisht të njëjtit “trika” e duke e përdorur vazhdimisht të njëjtin stil, që pothuajse të bën të vjellësh nga kumbimi i dhimbshëm i klishesë e i kiçit, ai megjithatë ka një ndjekje jashtëzakonisht të gjerë në publik.
Fama e tij nuk është shqetësim, shqetësim është numri i të rinjve që mesazhet e tij, pa trohë tolerance për tjetrin e me narrativën e njëjtë të viktimizimit pa qenë fare viktimë, e qurravitjes për ‘’padrejtësitë e shtetit’’, i marrin seriozisht.
Në njërën prej këngëve të tij, për shembull, bashkë me “udbashin”, “shpijunin” e “mashtrusin” (natyrisht, të shkruara keq e me gabime), gjenden me thes në kokë e të kërcënuar nga “stupci” i Gold Ag-së edhe dy të tjerë “Ateisti” dhe “Pederi” (që natyrisht, është term pezhorativ për homoseksualët).
Ateisti
Të jesh ateist, sikur edhe të jesh anëtar i cilësdo përkatësi fetare, nuk ka asgjë të keqe. Prandaj, natyrisht që për çdo njeri me mend në kokë, është skandaloze që në një këngë me njëmilion thirrje për dhunë, vendoset ateisti me qese në kokë e kërcënohet me stupc e me plumb. Poaq skandaloze do të ishte nëse dikush në një këngë do t’ia vendoste qesen në kokë myslimanit, e ta kërcënonte. Por, natyrisht, kjo nuk ndodh. Sepse në diskursin tonë publik, ndonëse hoxhallarët dhe këngëtarët si ky viktimizohen vazhdimisht për ‘’shtypjen’’ e Islamit, në vetëvete myslimanët nuk kërcënohen pse janë myslimanë. Ateistët, po. Nëse keni bindje fetare, i shprehni ato lirisht. Mund të kritikoheni, por nuk kërcënoheni. Nëse jeni ateist dhe shpreheni publikisht si i tillë, jo vetëm që stigmatizoheni, por rrezikoheni direkt.
E pra, autori i këtyre rreshtave është ateist. Dhe as unë, e as ateistët e tjerë (që përndryshe s’i kemi bërë kurrë asgjë Arian Agushit), nuk e meritojmë të kërcënohemi si kategori e tërë. Unë dhe të tjerët si unë, shkruaj artikuj për ta shpjeguar qëndrimin, debatoj, por as nuk kërcënoj e as nuk poshtëroj.
Homoseksuali
Një tjetër identitet, jo vetëm i kërcënuar, por i poshtëruar në Kosovë. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk ka ndodhur në Kosovë që homoseksualët të sulmojnë heteroseksualët përshkak të identitetit të tyre. E kundërta, jo vetëm që ka ndodhur, por vazhdon të ndodhë.
Në ndërkohë, njerëzit vazhdojnë ta paraqesin veten si viktima, që ndjehen të fyer nga vetë prezenca e homoseksualëve, ndonëse jo ata, por ky komunitet, janë viktimat e vërteta të trajtimit tonë shoqëror. Pra, revolta e tyre, jo rrallëherë mund të formulohet me “e pse me ekzistu ky tjetri që s’është si unë”. Provojeni! Merrini deklaratat e hoxhallarëve ndaj këtij komuniteti, zëvendësojini me këtë fjali, dhe e shihni që gjtihçka funksionon për mrekulli.
Nga njohjet private që kam me pjesëtarë të këtij komuniteti, mund t’jua them një gjë me siguri: Ky djalë nuk e njeh askënd që është homoseksual, e as që është ateist. Pra, minimumi që mund të themi për të, është që flet pa trohën e dijes dhe njohjes.
Për ta qartësuar: As nuk ndihem i fyer si ateist kur njerëzit e falin namazin në shesh, as nuk ndihem i fyer si heteroseksual kur komuniteti LGBT e organizon marshin po në këtë shesh. Sepse, për dallim nga këngëtari në fjalë, nuk mund dhe nuk duhet asnjëherë t’ia lejojmë vetes të ndihemi “të fyer” nga identitetet e të tjerëve.
Nëse je rehat me identitetin tënd, zor se ke diçka për të bërtitur kundër të tjerëve. (Mund të kesh diçka për të thënë kundër veprimeve të të tjerëve, por që të stigmatizosh njerëz bazuar thjesht dhe vetëm në një pjesë të identitetit është, siç thonë anglezët, “a fools job”.
Të kthehemi te Goldi
Narcisizmi është problemi më i vogël. Përjetimi i vetes si dikush që është e vërteta përfundimtare e të gjitha debateve në të gjitha kauzat, është sindromi i njohur si “deluzioni i madhështisë”.
Fatkeqësia është që, jo vetëm që ai nuk është e vërteta e fundit për të gjitha debatet, por zor se ka diçka të hajrit për të thënë, për cilindo prej debateve në Kosovë, duke e përfshirë atë fetar.
Me siguri që lexuesit e këtyre rreshtave do të ndahen, siç ndodh gjithmonë, në dy grupe: ata që e shajnë autorin dhe ata që thonë “po pse u merrshe me to”.
Po i përgjigjem paraprakisht të dyja palëve: Po merrem me të sepse fenomeni kulturor i përtacisë intelektuale, i gjykimit bllanko e pa trohë dije, dhe madhërimi i injorancës më shqetëson, jo pse më shqetëson ai personalisht. Për palën e parë, atë që mund ta shajë autorin, ju them: vazhdoni, shani, pastaj kur të shfryheni, mendoni se për cilat prej pikave në të vërtetë kisha të drejtë.
Kam frikë që bilanci nuk do t’ju dalë siç e prisnit.