Në kuadër të javës së aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, Emilija Rexhepi, vizitoi organizatën më të vjetër rome “Durmish Aslano”, në Prizren.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Kurti me këtë rast ka thënë se Qeveria që e udhëheq është e gatshme dhe e interesuar, që t’i ndihmojë dhe përkrahë komunitetet, jo vetëm në ditë feste, por edhe në çdo ditë pune.
Ai veçoi ndarjen e mbi 500 bursave për vajzat e komunitetit rom, egjiptian, ashkali dhe marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për 50 mësuese të gjuhës së komuniteteve.