Sot në mesditë i është dorëzuar zyrtarisht zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dosja e Kryeprokurorit të Ri të Shtetit që mori votat absolute të 11 anëtareve të KPK-së, mëson Paparaci nga burimet.
Dy ditë më parë (6 prill) , Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit
Isufaj ka marrë votat absolute të 11 anëtareve të KPK-së, shkruan Paparaci.
Ndërkohë që votimi i tij në krye të prokurorisë po kundërshtohet nga ambasadorët e huaj në Kosovë dhe organizata vendore.
Kjo sepse sipas tyre janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.
Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nëpërmjet një postimi në Twitter dy ditë më parë është shprehur i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, ka deklaruar ai.
Lidhur me votimin për Kryeprokuror të Shtetit, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.
Sipas tij fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.
“Përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë anëtarë të Ambasadës së SHBA-së, u ftuan të marrin pjesë në procedurat e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) më 6 prill për të zgjedhur Kryeprokurorin e ardhshëm të Shtetit. Prania jonë si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit apo procedimit. Në disa raste, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pritshmëri për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit, të cilat ne besojmë se i ndajmë me qytetarët e Kosovës që: të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita. Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard”, ka deklaruar ai, përcjell mediumi online “Paparaci”.
Reagim për këtë proces ka pasur edhe nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde. Ai nëpërmjet një postimi në Twitter është shprehur i zhgënjyer për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkruan ai në Twitter.
Të mërkurën (6 prill ) tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për Kryeprokuror të vendit, raporton Paparaci.
Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.
Kurse, dje Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një reagimi ka theksuar se procesi i përzgjedhjes ishte “plotësisht legjitim”, pavarësisht kundërshtimeve që ka hasur nga ambasadat e huaja në Kosovë.
“Mbi të gjitha, KPK-ja ka treguar një transparencë të madhe publike, e cila dëshmohet me rastin e transmetimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në RTK, publikimin në uebportal të të gjitha koncept-dokumenteve të kandidatëve dhe pjesëmarrjes aktive në takime dhe gjatë intervistimit të kandidatëve të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjë që ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë”, kanë deklaruar nga KPK-ja për Telegrafin.
“Prandaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithë përfshirje dhe është bazuar në meritokraci”, thuhet tutje në përgjigjen e KPK-së.
Votimi i Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit u kundërshtua edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe Adnan Rrustemi, shkruan Paparaci.
Dimal Basha ka thënë të enjten se KPK-ja “është koka e krimit brenda sistemit prokurorial”.
“Duhet me sulmu nga koka se koka është e kalbur. KPK është koka e krimit brenda sistemit prokurorial të Kosovës”, deklaroi Basha, në një fjalim në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kurse, Adnan Rrustemi e ka cilësuar të “kapur shtetin e Kosovës” duke iu referuar votimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, si dhe proceseve zgjedhore në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit (SBAShK).
Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë ditës së sotme ka dalë me deklaratë ndaj sulmeve që i janë bërë nga deputetët e LVV-së.
Duke iu referuar një deklarate të Dimal Bashës, i cili e quajti KPK-në “kokë të krimit brenda sistemit prokurorial”, Këshilli e dënoi sulmin të cilëson e cilësoi “të mënyrës më të ulët”.
“Këshilli i Prokurorial i Kosovës, gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë ‘grup dhe kokë kriminale’”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Në garën për kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit Blerim Isufaj ishte renditur si më të suksesshmin me 98 pikë.
Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.
Blerim Isufaj në postin e Kryeprokurorit të Shtetit do ta zëvendësojë Aleksandër Lumezin.
Kujtojmë se, konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022, kjo pasi Aleksandër Lumezit i përfundon mandati më 21 prill 2022./Paparaci.com