Dëshmitari kundër Salih Mustafës: Ende kam pasoja nga maltretimet

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e tretë kundër Salih Mustafës në Hagë dhe gjykimi do të vazhdojë nesër ku i njëjti do t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtëses së viktimave dhe avokatit të Mustafës.

Derisa i është përgjigjur prokurores Silvia D’Ascoli, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se si pasojë e maltretimit që pretendon se i është bërë në Zllashë, sot ka lëndime në krah, kokë dhe shikimin në syrin e majtë e ka të humbur.

Në pjesën e fundit të seancës për sot, dëshmitarit të tretë i cili u dëgjua nën masa mbrojtëse të sigurisë duke iu fshehur identiteti, prokurorja i ka prezantuar disa fotografi që nuk ishin publike, por për të njëjtat u tha se janë të objekteve ku dëshmitari pretendon të jetë mbajtur.

“Ka qenë si lloj korridori në anën e majtë, neve na shtinin të dhoma në anën e majtë, na pyetshin na torturonin e sende, ka qenë ana e majtë nga kemi hy ana e majtë, por në këtë pjesën tjetër ka pasur derë tjetër, por çka ka qenë nuk e di. Ka pasur një karrige, një si banke shkolle diçka, ka pasur diçka si me thënë rafte, poshtë ka qenë si dërrasa lloj llamperi i themi. Se edhe nuk ke mundur me këqyr aq aty brenda, sepse nuk ke pasur kohë edhe nuk të ka interesuar me këqyr aq”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Gjithashtu atij i është prezantuar një objekt për të cilin ka thënë se është shkolla ku ai ka shkuar për stërvitje në mënyre që t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari i tretë ka thënë se vazhdon të përballet me pasoja në shëndetin e tij, si pasojë e maltretimeve që pretendon t’i jenë bërë në Zllashë.

“Pasoja kam edhe sot, jam i djegur në dorë, i prerë pak në krah, në gisht, kokën e kam në shtatë-tetë vende të dëmtuar, pamjen e kam humbur në anën e majtë, ka shumë gjëra që i barti edhe sot, përveç atyre mavijoseve, atyre sendeve çka janë shëruar, ka gjëra që i barti edhe sot fatkeqësisht. Kam shkuar pas një kohe, pas një tre muaj kam shkuar, kam pasur një operim në gojë, e kam pas një operim prej infeksionit, kam shkuar ndërkohë nëpër mjek, kam vizituar shumë mjekë. Si pasojë e tyre, sepse kam qenë shumë në rregull, kam qenë si një fëmijë normal, por fatkeqësisht këta njerëz, këta individë m’i kanë bërë këto sende dhe më sollën ën atë gjendje”, ka thënë dëshmitari.

Me këtë kanë përfunduar pyetjet e prokurorisë për dëshmitarin e tretë të ZPS-së në rastin e Salih Mustafës dhe i njëjti do të paraqitet nesër në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë për t’u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së viktimave dhe avokatit mbrojtës së Mustafës.

Gjykimi i Salih Mustafës, i cili e ka ndjekur atë përmes video lidhjes në Hagë, ka vazhduar sot me dëgjimin e dëshmitarit të tretë.

Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Poste të ngjashme

Lajmi i fundit