Kosova ka një shkallë të frikshme të varfërisë dhe varfërisë ekstreme, asnjë prej deputetëve nuk përfaqëson këtë shtresë ekonomike.
Në vitin 2013, pasi kishin marrë përvojë gati tre vjeçare në Kuvend, partia e Albin Kurtit e quajtur “Vetëvendosje” kërkonte – me të drejtë – përfaqësim të të gjitha shtresave ekonomike.
Behgjet Pacolli – kryetar i AKR-së që është pjesë e grupit parlamentar të LDK-së – është ndjeshëm më i pasuri me një pasuri të paluajtshme që e vlerëson me 206 milionë e 209 mijë e 451 euro. Ekonomikisht, Pacolli mund ta përfaqësojë vetëm pesë-gjashtë familje sepse në Kosovë – siç e dimë – multimilionerët (pasuria e të cilëve është 30 milionë e përpjetë) janë specie e rrallë.
Por, Pacolli është thjesht qershia mbi tortë e këtij fenomeni shqetësues për demokracinë.
Pasuria e përbashkët e deputetëve jashtë Vetëvendosjes në prona të paluajtshme (56 të numëruar, pa z. Behgjet Pacolli) është 227 milionë e 456 mijë e 822. Nëse heqim z. Pacolli nga ekuacioni atëherë ajo mbetet 65 milionë e 247 mijë e 371 euro.
Pa z. Pacolli në numërim, del se pasuria mesatare vetëm në prona të paluajtshme e këtyre depuetëve është 1 milion e 165 mijë e 131 euro për secilin veç e vet. Me z. Pacolli, kjo bëhet 4 milionë e 762 mijë e 400 euro.
Por, në këtë numërim është futur edhe z. Gani Dreshaj për të zëvendësuar deputetin e ri nga komunitetet, Bahrim Shabanin. Nëse do të hiqnin edhe z. Dreshaj, që si pasuri të paluajtshme ka deklaruar 41 milionë e 353 mijë euro, atëherë për 55 deputetë shifra do të ishte 23 milionë e 894 mijë ose 434 mijë për secilin deputet veç e veç.
10 deputetët më të pasur nga jashtë Vetëvendosjes në pasuri të paluajtshme janë:
Behgjet Pacolli | 206 milionë e 209 mijë euro;
Gani Dreshaj | 41 milionë e 353 mijë euro; | Zëvendësim për Bahrim Shabanin
Pal Lekaj | 1 milion e 860 mijë euro;
Ljubinko Karaxhiq | 1 milion e 450 mijë;
Valentina Bunjaku | 1 milion e 450 mijë;
Blerta Deliu Kodra | 1 milion e 340 mijë;
Abelard Tahiri | 1 milion e 176 mijë;
Bekim Arifi | 1 milion e 100 mijë;
Ramush Haradinaj | 1 milion e 64 mijë;
Sami Lushtaku | 1 milion e 40 mijë euro | Zëvendësim i Mërgim Lushtakut
Në mesin e deputetëve më të varfër jashta Vetëvendojes (veç me pasuri të pajuajtshme) janë të gjitha gra – përveç Igor Simiqit të Listës Srpska.
Time Kadriaj (AAK, 35 mijë), Vlora Dumoshi (LDK, 50 mijë), Miljana Nikoliq (LS, 60 mijë), Verica Qeraniq (LS, 67 mijë), Albena Reshitaj (AAK, 68 mijë e 500), Ganimete Musliu (PDK, 80 mijë), Jasmina Dediq (LS, 82 mijë) dhe Samra Iljazi (NDS, 100 mijë).
“Vetëvendosje” duket se ka mbetur e habitur me pasurinë e paluajtshme të deputetëve të kësaj partie.
Nëse pasuria e 55 deputetëve të partive jashta Vetëvendosjes ishte 23 milionë e 894 mijë euro (pa Gani Dreshajn dhe Behgjet Pacollin), për 50 deputetë të partisë së Kurtit pasuria është 19 milionë e 959 mijë euro.
Top-10 deputetët më të pasur nga partia e Kurtit janë:
Valon Ramadani | 3 milionë e 802 mijë euro
Enver Haliti | 1 milion e 660 mijë euro
Gramoz Agusholli | 1 milion e 405 mijë euro
Jahja Kokaj | 1 milion e 165 mijë euro
Haki Abazi | 795 mijë euro
Fatmir Humolli | 730 mijë euro
Avni Dehari | 596 mijë euro
Fitim Haziri | 560 mijë euro
Luan Aliu | 550 mijë euro
Dimal Basha | 540 mijë euro
Sado që u përpoqëm të gjenim ndonjë deputet të Vetëvendosjes që mund t’i përafrohej statusit të varfanjakut, kjo ishte totalisht e pamundur.
Deputeti më i varfër i kësaj partie – në bazë të pasurisë së paluajtshme sipas deklarimeve në AKK është Armend Muja. Po ashtu, edhe Fitore Pacolli del mes pesë deputetëve të VV-së që kanë më pak pasuri të paluajtshme (60 mijë) edhe pse asaj iu pat bërë e madhe një banesë luksoze në Prishtinë.
Mbledhur në total, pa Behgjet Pacollin dhe Gani Dreshajn, vlera e pasurisë së paluajtshme të deputetëve tanë (105 deputetë) është 43 milionë e 853 mijë euro. Me Behgjet Pacollin dhe Gani Dreshajn, ajo shkon në 247 milionë e 415 mijë euro.
Çështja është shumë serioze: ku janë deputetët që përfaqësojnë shtresat e varfra, siç kërkonte Albin Kurti më 2013?
Në tekstin e radhës do të keni pasurinë e deklaruar nga Vetëvendosje dhe të përpunuar nga Nacionale në bazë të të dhënave nga AKK për vitin 2021.