Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rrukiqi ka thënë se inflacioni pritet të jetë ndër më të lartit në historinë e kohës së pasluftës, kjo për shkak të krizës ekonomike,
Sipas tij, kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në mirëqenien e jetesës së qytetarëve, duke shtuar se mund të kemi një krizë të ofertës e cila lidhet edhe me mungesën e mundshme të produkteve.
“Gjë që do të ndikojë në përgjithësi në konsumin në shkallë vendi. Dhe kjo do të reflektohet edhe në shifrat e rritjes ekonomike. Tani jemi në një fazë ku mund të kemi një krizë të ofertës e cila lidhet edhe me mungesën e mundshme të produkteve dhe kjo veç e shton dozën e problemit të inflacionit”.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i shfrytëzojë të gjitha politikat e mundshme në mënyrë që vendi të mos rrezikoj të shkojë edhe në një recesion ekonomik.
Ndërsa shtoi se vendi nuk ka shkallë të lart të investimeve që ato të rrezikohen nga gjendja e krizës.
Kurse për masat të cilat duhet të merren në raste të tilla Rukiqi thotë se duhet të bëhet rishikimi i normës së TVSh-së, një periudhe të caktuar të suspendohet mbledhja e akcizës së naftës, pagat të rishikohen në bazë të normës së inflacionit dhe të subvencionohet një pjesë e transportit të mallrave.
“Për mos me u ndikua fuqia blerëse duhet me u stimulua fuqia blerëse dhe kjo bëhet duke marr veprime që ndikojnë në uljen e çmimeve.Një ndër to është rishikimi i normës së TVSh-së ose normë zero apo 8 përqind për produktet të cilat janë esenciale dhe e ndikojnë shportën e konsumatorit. Për një periudhe të caktuar të suspendohet mbledhja e akcizës së naftës ose së paku për pjesën e rritur të çmimit të mos mblidhet e njëjta akcizë. Mund të shikohet edhe opsioni që pagat të rishikohen në bazë të normës së inflacionit. Mundësia është të subvencionohet një pjesë e transportit të mallrave të cilat janë me rëndësi për shportën e konsumatorit”./EO