Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton 22-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.
Ai thotë se po bëhen 22 vjet nga intervenimi ushtarak i NATO-s mbi caqet Jugosllave dhe kështu fillimit të fundit të vuajtjeve të popullit të shtypur në Kosovë.
“24 marsi i vitit 1999 shënon një momentum të ri për Kosovën e për përpjekjen shekullore për liri. Ky momentum hapi shtegun e lirisë dhe në fund të pavarësisë së vendit. Prandaj, qytetarët e Kosovës i mbesin gjithmonë mirënjohës botës perëndimore, SHBA-së me aleat, që përmes NATO-s dhanë shpresën e pritur kaherë. Këtë ditë duhet ta kujtojmë sot e përherë. Gjeneratat e ardhshme duhet ta mbajnë 24 marsin si fundament të lirisë së tyre, fundament të shtetësisë sonë”, deklaron Abixhuku, raporton Zeri.info.
Ai thekson se mbi dy dekada më pas, përpjekja për të ndërtuar shtetin e Kosovës, shtet të drejtë, të fortë, të dinjitetshëm vazhdon.
“Sot vajzat e djemtë e Kosovës në uniformë ushtrojnë misione paqëruajtëse nëpër botë; dhe kjo në vete nderon të gjithë burrat e gratë e vendit dhe jashtë, që kanë bërë të mundur që 24 marsi të ndodhë. Kosova vazhdon të ndërtojë ëndrrën e saj origjinale për anëtarësim të plotë në NATO e në BE-së. Përjetësisht mirënjohës!”, përfundon kryetari I LDK-së.